| Braili dhe rendesia e tij ne jeten e te verberve |
|
|
|
Shkrimi Brail është një sistem pikash në reliev që përdoret nga personat me mungesë të theksuar shikimi për të shkruar dhe lexuar. Baza e Brailit është një qelizë drejtkëndore. Brenda qelizës mund të realizohen gjashtë pika të pozicionuara në dy kolonat vertikale me nga tre pika secila, lartësia e pikave është afërsisht 0.02 inch ose 0.5 mm. Ndërsa largësia ndërmjet qendrave të bazave të dy pikave më të afërta në drejtim horizontal ose vertikal është 2.5 mm. Pikat brenda një qelize vendosen në pozicione plotësisht të përcaktuara. Duke i kombinuar ato në të gjithë mënyrat e mundshme në numër dhe vendndodhje përftohen së bashku me qelizën boshe gjashtëdhjetë e katër modele ose kombinacione plotësisht të përcaktuara (nga të cilat një model bosh, 6 modele një pikëshe, 15 modele 2 pikëshe, 20 modele 3 pikëshe, 15 modele 4 pikëshe, 6 modele 5 pikëshe dhe 1 model gjashtëpikësh. Për qëllime reference në përshkrimin e strukturave në këtë material pikat emërtohen në kolonën e parë nga lartë poshtë 1, 2, 3; në kolonën e dytë, gjithashtu, nga lartë poshtë 4, 5, 6. Ky sistem (sistemi i Brailit) është rezultat i mundit, mençurisë dhe fantazisë së Luis Braillit. Ai, me punën e tij ndryshoi përfundimisht metodën e të shkruarit dhe të lexuarit të të verbërve. Shkrimi Brail në Shqipëri dhe problematikat e tij. Historik Megjithëse përdorimi i alfabetit Brail në botë i ka fillesat e tij që në shek 19 në Shqipëri ai filloi të përdorej shumë më vonë. Për herë të parë sipas të dhënave jo zyrtare filloi të përdorej në mënyrë sporadike në vitin 1941. Ky shkrim u soll nga një student shqiptar i verbër që kish mbaruar studimet e larta për piano në Athinë. Nga fundi i vitit 1941 nëpërmjet një kursi privat filluan të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë në Brail 2 të verbër në qytetin e Korçës, Rexhep Zëmblaku dhe Petrit Koprencka. Gjatë viteve 50 u rrit relativisht numri i të verbërve që përdornin Brailin. Në 1959 një ish student shqiptar në Moskë, Faslli Luarasi, solli makinën e parë daktilografike të Brailit për Petrit Koprencën (i verbër). Po gjatë këtyre viteve u sollën disa pllaka shkrimi dhe biza nga ing. Ccefo Fico. Me vendimin numër 64 në prill të vitit 1963 të Qeverisë Socialiste të Shqipërisë u hap për herë të parë në Shqipëri Instituti për Fëmijët shurdhmemece dhe të verbër. Pas daljes së këtij vendimi, u bë e mundur çelja e këtij instituti në nëntor të po këtij viti. Me një makinë të thjeshtë daktilografike Braili u përgatitën abetarja dhe aritmetika të cilat u ilustruan edhe me figura. Mësuesja e parë për të verbër në Shqipëri ishte Liri Kamberi. Alfabeti dhe struktura e shkronjave. Alfabeti shqip në gjuhën e pikave është përgatitur nga Dilaver Zgjani dhe Liri Kamberi bazuar në alfabetin francez të Luis Brailit. Ky alfabet është miratuar nga Ministria e Arsimit në vitin 1963 si alfabeti zyrtar i të verbërve në Shqipëri. Më poshtë paraqiten në mënyrë të shkurtuar strukturat e disa shenjave dhe nëpërmjet dy shembujve shpjegohet si lipset të kuptohen dhe të lexohen ato. R(1,2,3,5) do të lexohet shkronja r paraqitet me një karakter me pikat 1 2 3 dhe 5 Π (pigrek) (4, 5;1,2,3,4) dhe lexohet pigrek. Pigreku paraqitet me 2 karaktere me pikat 4 5 në karakterin e parë dhe 1 2 3 4 në karakterin e dytë. A – (1) B- (1,2) e (1, 4) Cc (1, 4, 6) D(1,4,5) dh(1,4, 5,6) E (1, 5) E (1,6) F(1,2,4) G(1, 2,4, 5) Gj(1,2,4,5, 6) H (1, 2, 5) i (2, 4) J(2, 4, 5) K (1,3) L(1, 2, 3) ll(1, 2, 3, 5,6) M (1, 3, 4) N (1, 3, 4, 5) nj (1, 2, 4, 6) O(1, 3, 5) P(1, 2, 3, 4) Q(1, 2, 3, 4, 6) R (1, 2, 3, 5) rr (1, 2, 3, 4,5,) S (2, 3, 4) sh (1,5 6,) T(2, 3, 4, 5) th (2, 3, 4, 5,6) U (1, 3, 6) V (1, 2, 3,6) X (1, 3, 4, 6) XH (2, 3, 4, 6) Y (1, 3, 4, 5, 6) Z (1, 3, 5, 6,) ZH (1, 2,5, 6). Struktura e disa shenjave të pikësimit Pikë (2, 5, 6) Presje (2) Pikëpresje (2, 3) Pikëpyetje( 2, 6) Pikëçuditëse (2, 3, 5). Dy pika (2, 5) Vize lidhëse ose ndarëse (3, 6) Apostrof (3) Thonjëzat në hapje (2, 3, 6) në mbyllje (3, 5, 6) Parantezë në hapje (1, 2, 5, 6) në mbyllje(2, 3, 5, 6) Kllapat e vogla (2, 6) në hapje dhe në mbyllje (3, 5). Germat kapitale paraprihen me shenjën (4, 6) shkronjat e vogla paraprihen me shenjën (4, 5, 6). Kur duam të theksojmë një pjesë në fjali, një thënie, një shprehje, përkufizim e futim ndërmjet shenjave në hapje (1, 2,3,6; 3, 6;3, 6;) në mbyllje (3, 6; 3, 6; 3, 4, 5, 6) Sikurse shihet në alfabet: 1 - Gërmat e përbëra dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh. Janë paraqitur me një karakter të vetëm secila. Kjo është bërë për arsye se: A – Mollëza e gishtit e ka më të lehtë të mbulojë dhe perceptojë simbolin e përbërë prej një karakteri të vetëm sesa në rastin kur ai është i përbërë prej dy karakteresh. B – Kursehet energji, kohë, letër d.m.th ulet kostoja e prodhimit të librave në masën 20 për qind. C – Librat me peshë dhe vëllim më të vogël janë më të lehtë në përdorim. D – Kërkohet një hapësirë më e vogël në bibliotekat për ruajtjen e tyre. Këtu e shoh me vend të shpreh shqetësimin tim, jo vetëm si bashkautor, por edhe si përdorues i Brailit për ndërhyrjet e njëanshme që janë bërë në fundin e viteve 90 për zëvendësimin e shkronjave dh, gj, th, etj me shkronja të përbëra dh, gj, th etj. Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje nuk ka qenë i motivuar nga dëshira për të përsosur alfabetin shqip të Brailit, por ka ardhur si rrjedhojë e paaftësisë për të zgjidhur një problem teknik. Kjo ndërhyrje ka sjellë që midis përdoruesve të Brailit të mos ndiqet një linje unike në shkrimin e disa shkronjave. Mendoj, se përgjegjësia për këtë i takon Institutit për Nxënësit që nuk Shikojnë, “Ramazan Kabashi” dhe Ministrisë së Arsimit e Shkencës që mbulon këtë institut. 2 – Shkronjat e, c, d dhe dh, g dhe gj, p dhe q, t dhe th formohen duke i shtuar strukturës së shkronjës paraardhëse pikën numër 6. shembull d (1, 4, 5), ndërsa dh (1, 4, 5, 6) 3 – Shkronjat të pasqyruara të njëra – tjetrës janë shkronjat: c dhe m; d, dhe f ; dh dhe p ; e dhe i; h dhe j; n dhe nj; q dhe y; s dhe sh; t dhe zh; xh dhe z; gj dhe rr; ll dhe th. Shkronjat g dhe x pasqyrojnë vetveten. Struktura e shenjave që përdorën në matematikë; Numrat në Brail formohen nga dhjetë gërma: a, b, e,d, e f, g, h, i j. Duke i shtuar përpara një shenjë speciale që quhet shenja e numrit (prefiksi) dhe formohet nga pikat (3, 4, 5, 6) shembuj Numri 4 shkruhet: në qelizën e parë shenja e numrit ose prefiksi. Në qelizën e dytë shkruhet shkronja d me pikat 145. Numri 27 shkruhet ; Në qelizën e parë shenja e numrit Në qelizën e dytë janë shkronja b me pikat 1 dhe 2 dhe në qelizën e tretë shkronja g me pikat 1245 Thyesat 1 Disa thyesa mund të shkruhen, duke zhvendosur numëruesin një pikë më poshtë, ndërsa emëruesi mbetet në pozicionin normal. P.sh 5/9 në qelizën e parë shenja e numrit, në qelizën e dytë pikat 2, 6 dhe në qelizën e tretë pikat 2 4. Thyesat tek të cilat numëruesi dhe emëruesi ose njëri prej tyre paraqitet në formën e një shprehjeje shkruhet: numëruesi futet ndërmjet shenjave 1, 2, 4, 6 dhe 1, 3, 4, 5 ndërsa emëruesi futet ndërmjet shenjave 1, 2, 3,4, dhe 1, 4, 5, 6, Përdorimi i Brailit në Shqipëri. Nëse do të kalonim në një këndvështrim të ri, jo vetëm teknik, por në probleme më konkrete lidhur me domosdoshmërinë e përdorimit dhe përhapjes se Brailit në Shqipëri, vihet ne re që kurba e këtij zhvillimi në periudha të ndryshme kohore ka pësuar lëkundje. Qysh nga ngritja e institutit të të verbërve deri në fund të viteve ‘80-të Braili, është përqendruar vetëm brenda kornizës së këtij instituti, por është përdorur në raste të veçanta edhe për letërkëmbime, mësimin e gjuhëve të huaja dhe shënime nga nxënësit e verbër qe vazhdonin shkollat e mesme e të larta. Brajli me kalimin e kohës u bë pjesë e domosdoshme e jetës dhe integrimit të të verbërve në shoqëri. Brajli përveç të tjerave pati një rol të rëndësishëm në edukimin dhe punësimin e këtyre personave, në profesione institucione të ndryshme me një përhapje të gjerë, si në Tiranë, Durrës, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Fier, Elbasan, Kavajë etj. Integrimi i këtyre personave pati një influencë në ndryshimin e opinionit mbarëshoqëror për verbërinë. Deri në vitet 1990 shumë nxënës nga shkolla e të verbërve vazhduan arsimin e mesëm dhe të lartë dhe dolën mësues, juristë, muzikantë të talentuar. Pas viteve 90 me ndryshimet social-ekonomike e politike, jo vetëm Braili por edhe vetë të verbërit u lanë në harresë nga politikat shtetërore. Shumë persona të verbër gjatë kësaj periudhe humbën vendet e punës, dhe për pasojë edhe interesin e tyre për t’u arsimuar. Për më tepër pati një rënie të theksuar të cilësisë së mësimdhënies në shkollë shkak i së cilës ishte mungesa e teksteve dhe bazës materiale didaktike. Si pasojë e kësaj situate, pati prindër që hezitonin të arsimonin fëmijët e tyre në këtë institut, deri në largimin përfundimtar të tyre. Kjo gjendje nuk ndryshoi edhe pas ngritjes pranë këtij instituti të linjës së prodhimit të teksteve në Brail, në vitin 1996, pikërisht për kapërcimin e kësaj situate. Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe kishte në fokusin e vet përhapjen e Brailit dhe arsimimin e të verbërve në vend. Me përpjekjet e veta herë pas here ka siguruar bazën teknike për shkrimin Brail si pllaka, biza, letër etj, por mbulimi i nevojave ishte ende i pjesshëm. Vetëm me ngritjen e linjës se prodhimit të materialeve të brajlit në vitin 2002, nga Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve, Shoqata e të Verbërve është në gjendje t’u përgjigjet kërkesave për materiale të tilla. Natyrisht realizimi i këtyre nevojave kërkon fonde të konsiderueshme, të cilat lipset të planifikohen nga institucionet përkatëse. Në kuadër të përpjekjeve për përhapjen e Brailit në Shqipëri, QKRV përgatiti alfabetaren, si tekst bazë për mësimin e shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe në Brail. Përdorimi i brajlit mbetet i një rëndësie jetike për personat e verbër. Për këtë komunitet është domosdoshmëri përdorimi i tij në aktivitete praktike të jetës së tyre të përditshme. Çdo njeri ka nevojë të mbajë shënime, numra telefonash, krijime letraro-artistike, të identifikojë ushqimet në kuzhinë, të mësojë përdorimin e elektroshtëpiakeve, të identifikojë ngjyrat e veshjeve, etj. Të gjitha këto veprime bëhen lehtësisht të realizueshme nga personat e verbër me ndihmën e përdorimit të Brailit. Pikërisht për realizimin e sa më sipër, QKRV në bashkëpunim me SHVSH, kanë iniciuar një sërë projektesh me objektiv mësimin e Brailit dhe menaxhimin e mikromjedisit nga personat e verbër. Këto projekte kanë pasur një përhapje gjeografike të konsiderueshme në rrethe të tilla të Shqipërisë si: Durrës, Shkodër, Berat, Skrapar, Lezhë, Mirditë, Sarandë, Krujë, Malësi e Madhe, etj. Janë ende në fokus për realizim projekte të reja më në qendër Brailin si mjet i domosdoshëm në formimin dhe integrimin social të të verbërve. Me gjithë evoluimin e teknologjive moderne dhe ndikimin e tyre në jetën profesionale e praktike të personave të verbër, me kalimin e kohës nuk e kanë zbehur aspak rëndësinë e Brailit dhe përdorimin e tij. Të gjitha këto pajisje jo vetëm bazohen te Braili, por në shumë raste i referohen në mënyrë të pashmangshme atij. P.sh, kompjuterat modernë për të verbër, që ekzistojnë sot, ekranet e tyre shkrues i kanë në Brail. Çdo i verbër mund të shkruaj në një tastierë normale, por e kontrollon fjalën e shkruar në një ekran me gërmat e Brailit. Braili, ashtu si shkrimi i zakonshëm, ndihmon në zhvillimin dhe evoluimin e shpirtëror e kulturor të të verbërve. Pra të dashur miq, roli i Brailit nuk është zbehur, ai po përjeton një epokë të vrullshme ndryshimesh, përpunimesh dhe zhvillimesh, por kurrsesi nuk do ta pranonte zhdukjen. Nëse do të duhej që nga shkollat normale të hiqej shkrimi dhe në to të zhvillohej mësimi nëpërmjet të dëgjuarit, apo të hiqeshin librat e të zëvendësoheshin me kompjuterët atëherë mund të thoshin se edhe Brailit i ka ardhur koha të dilte nga “moda” d.m.th të hidhej në arkivat bibliotekare dhe të fillonim të shkruanin se dikur ka pasur dhe një shkrim për të verbër ose ndryshe Brail. Por përderisa shkrimi normal do të jetë i pranishëm dhe derisa shkenca e teknologjia moderne të mos jetë në gjendje të gjejë një zgjidhje për t’u kthyer dritën e humbur njerëzve të verbër, Braili dhe rëndësia e tij nuk do të jenë kurrë të zbehur në vizionin e jetës për të verbërit. Si thotë dhe një fjalë latine: Verbam volant scriptum manent. (Fjala fluturon e shkruara mbetet) |