logo

Shanset e integrimit dhe te informatizimit te tiflologjise ne Shqiperi Printoni E-mail
Guxoj të bëj apologjinë e të ndëshkuarve pa faj. Apologjinë e atyre njerëzve që rruga e dritës u fillon te ndonjë shpikje e papritur e shkencëtarëve, për të mos thënë te  zemër-gjerësia e ndokujt që pranon vetëm për pak të të shpjegoj apo lexoj diçka. Nëse nuk shikon ke në dorë arsye të mëdha  për të kuptuar dhe njohur rrugët, por jo mundësi më të pakta  për t’i shkelur. Por përsëri mbetet një derë. Informacioni është baza e zhvillimit dhe vullneti rruga drejt tij. Nëse përpara dy shekujsh, njerëzit që nuk shikonin klasifikoheshin si të pazotët për gjithçka, sot ata kanë fatin të përcjellin gati në kohë reale çdo hap të teknologjisë informatike. Duke përbuzur për 2 sekonda teoritë më lejoni t’ju pyes kush prej jush është ndalur ndonjëherë të mendojë se sa shumë varet liria e këtyre njerëzve nga çfarëdo lloj softweri që teknikisht e ndihmon, por në fakt, e robëron dhe për se? Në kushte hipotetike shumëkush do të pëshpëritë një “po” prej altruisti. E di që janë shumë më pak dhe ju jap të drejtë, për sa kohë keni larg lëkurës suaj. Nuk jam këtu për të himnizuar të verbërit as për t’u bindur në zgjuarsinë e tyre me teorinë e kompensimit të shqisave, thjeshtë dua t’ju nxis të mos i shikoni të mangët përtej pamundësisë për të parë fizikisht. Këtë ftesë ndaj jush së pari e kam detyrë ndaj vetes për të mos mbetur peng i paragjykimit as i vetëhandikapimit, nëse do të zbatoja mësimet e psikologjisë.
Konkretisht, të tregojmë se cilat janë shanset që kësaj radhe teknologjia i ka ofruar tiflologjisë.
Tashmë nuk është më e çuditshme të shohësh një njeri të verbër që komandon një kompjuter, të përdorë pa asnjë problem një telefon celular apo një aparaturë tjetër elektronike të së njëjtës familje me këto të dyja. Zanafilla është tek realizimi i një software të quajtur Jaws nga kompania amerikane Fredom Scientific. Besoj tek empatia e këtyre informatizuesve që kanë kontribuar me këtë mrekulli të radhës. Në mënyrë të padiskutueshme ky program u fal dritën e munguar këtij kontigjenti personash, të cilët dëshirën për t’u integruar e kanë pasur edhe përpara realizimit të këtij programi. Kuptohet qartë që në ditët tona me mungesën e teknologjisë do të ishim njëlloj si në epokën e gurit. Po përpiqem të them se është një moment ku një njeri i verbër përpara kompjuterit është i barabartë me një njeri tjetër ashtu si edhe në plot drejtime të tjera. E parë në këtë prizëm ky softwar nuk bën gjë tjetër, veçse ekuilibron shanset. Nuk ka më arsye të ndjehemi keq, kur dëgjojmë në media apo kudo tjetër se teknologjia po avancon me hapa gjigante, sepse mund të jemi edhe në pjesë e këtyre hapave. Më parë një kompjuter do të ishte një ëndërr në sirtar, apo një dhuratë të cilën nuk do ta hapje kurrë, kurse një celular do të ishte një mjet që do ta kuptojë që funksiononte vetëm kur ndokush do të kujtohej të të bënte ndonjë telefonatë. Tanimë të tjerëve mund t’u bësh edhe surpriza duke u shkruar ti i pari një SMS, edhe nëse ta kthejnë ta lexosh vetë. Pra këto detaje, të cilat janë fare të parëndësishme, në botën e çudirave të teknologjisë luajnë rolin kryesor në integrimin e njerëzve me probleme në shikim ashtu siç luajnë rol të rëndësishëm në përgjithësi në jetën normale, por në rastin tonë them rolin kryesor sepse nuk bëhet fjalë vetëm për krijimin e mundësisë për të përthithur informacionin, por për të reduktuar një sërë efektesh të dëmshme psikologjike dhe fenomene sociale. Nuk po ndalem të bëj analiza të këtyre efekteve sepse ka probabilitet të arrijmë në fakte tronditëse, por ajo që dua të them është se duke qenë se teknologjia ka marrë kohët e fundit një zhvillim të vrullshëm dhe të qenit pjesë e këtij zhvillimi të krijon mundësinë të jesh i spikatur. Kjo vëmendje bën që të nxjerrë nga plogështia këta njerëz dhe rezultatet janë sensibilizimi, ulja e paragjykimeve dhe zhdukja e stereotipizimeve. Retorika flet hapur për progresin shumëplanësh që sjell kjo teknologji. Fakti që janë vënë në dispozicion këto software, të cilat ndihmojnë të kryejnë procese të zakonshme, por thelbësore në komunikim çon në rritje të vetëvlerësimit. Kundërfaktet e djeshme jofavorizuese, sot janë fakte të pamohueshme të botës në ndryshim. Ky është paradoksi i kohës.

Ku konsistojnë këto shanse që ofron ky zhvillim informativ?

Njohja me këtë program i cili më ka dhënë edhe mua mundësinë të përgatis këtë material është e vetmja mundësi për të pasur akses në kompjuter dhe për të përdorur gamën e gjerë të programeve të tjera.  Jaws është një program që vokalizon gjithçka në kompjuter duke filluar nga sistemi i shfrytëzimit deri në programet e tjera të editimit të tekstit, zërit edhe shumë formatesh të tjerë. Pikërisht ky është edhe slogani i programit, pra Desktop reader for Windows, lexues i ekranit për Windows, lexim ky i bërë në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Jaws është pothuajse perfekt për nga mënyra e përdorimit sepse manipulon në bazë tastiere. Dihet që kjo e fundit ka qenë gjithmonë primare në kompjuter për sa i përket futjes së të dhënave apo komandave.

Komandat e tastierës

JAWS ka një listë të gjerë të komandave për tastierën. Kombinimet e tasteve për përdorimin e tastierës quhen keystrokes ose commands. Këto sigurojnë një akses të shpejtë dhe efektiv në të gjitha tiparet e Windows. Programet janë të hapura, të përdorura dhe të mbyllura. Përmes përdorimit të gjerë të kombinimit të tasteve janë kaluar kufijtë e përdorimit të një mjedisi të caktuar. Jaws përdor kursorin për të gjurmuar aktivitetin e sistemit dhe për të ndjekur informacionin e nevojshëm. Kombinimet e tasteve në Jaws na lejojnë ne të kontrollojmë çfarë informacioni dhe sasinë e informacionit që flet Jaws në një kohë të dhënë duke kontrolluar lëvizjen e këtyre kursorëve. Shumicën e kohës kur ne përdorim një kombinim tastesh ne jemi gjithashtu duke manipuluar një kursor. Për këtë arsye shumë kombinime tastesh veprojnë në mënyra të ndryshme për kursorë të ndryshëm. Në fakt disa kombinime tastesh nuk punojnë si lipset, derisa kursori korrekt të jetë zgjedhur. P.sh n.q.s ne përpiqemi të kufizojmë kursorin Jaws (INSERT+R) ndërsa kursori i PC është aktiv, ne do të marrim mesazhin, përpara se të vendosim kufizime, duhet të hapim ose Jaws ose kursorin e padukshëm.
Disa kursorë punojnë vetëm në aplikime të përcaktuara apo seksione të tyre. Kursori i PC nuk mund të hyjë në mënyrë direkte, në çdo pjesë të ekranit, por ai shkon aty ku fokusi i sistemit shkon.
Ky seksion në sistemin ndihmës të Jaws përmban të listuar kombinimet më të përdorshme të tasteve për WINDOWS dhe listimin e të gjithë kombinimeve për JAWS. Është bërë përpjekje të organizohen këto kombinime tastesh në përputhje me atë se çfarë bëjnë ata kështu që ne mund të gjejmë thjeshtësisht kombinimet që dëshirojmë në një kohë të përcaktuar.

Office
Në çdo hap të punës së përditshme na lipset të shkruajmë tekste të ndryshme. Për këtë qëllim, gjatë shfrytëzimit të kompjuterit, përdoren programe të cilat njihen si përpunues të  teksteve.
Microsoft word është programi më i fuqishëm për përpunimin e një teksti, program që bën pjesë në paketën Office.
Tekstet e shkruara, përkatësisht dokumentet që krijohen në Word, ruhen si skedarë në kujtesën periferike të kompjuterit. Këto skedarë pastaj mund të shfletohen në ekran, të plotësohen me tekst të ri, ose të ndryshohen, dhe sipas nevojës të shtypen në printer.
JAWS është gjithashtu lexues perfekt i paketës Office dhe zëvendëson gjithçka që do të bënte shqisa e të parit. Kësisoj do të jetë e mundur të lexosh libra te tërë në format Word, libra shkollor dhe letrar. Pse jo mund edhe të krijosh bibliotekën tënde në kompjuter.
Nëse deri tanimë po flisja për biblioteka në kompjuter të cilat Jaws mund t’i shfletojë lehtësisht tani po orvatem të futem në botën gjigante të internetit. Nuk po ndalem në detaje sepse kushdo nga ne përpiqet sadopak të updatohet në këtë fushë. Ajo që është më e rëndësishmja të theksohet këtu është se informatika ka arritur ta menaxhojë edhe këtë kaos sërish me anë të vokalizimit. Jaws ka gjithashtu komanda specifike për t’u njohur me faqe të ndryshme dhe për të përthithur gjithë informacionin që kanë këto faqe. Me lipset të pranoj që njohja me këto faqe është relativisht e vështirë, por jo e pamundur. Këto komanda riorganizojnë faqet në mënyrë më të thjeshtë dhe kështu që lehtësohet menaxhimi i tyre. Në këto mënyrë bëhet i mundur leximi i gazetave të ndryshme në Internet, njohja me të rejat e fundit në fushën e muzikës, artit, kulturës, politikës dhe gjetja e ndonjë materiali për detyra kursi. Jaws bën të mundur leximin e email-it në mënyrë të saktë duke e konfiguruar në Outlook Express apo programe të tjera të menaxhimit të emailit. Diçka tjetër interesante në fushën e internetit janë messengerët e shumtë dhe komunikimi ndëraktiv. Edhe ky lloj komunikimi i cili për nga numri i të apasionuarve ka marrë përmasa kaotike nuk është jashtë fokusit të Jaws. Është plotësisht e mundur që me anë të Jaws të komunikosh në messenger të ndryshëm sigurisht kudo në botë. Madje mund të flasësh me audio edhe video pavarësisht se mund të duket e pakuptimtë. Ata që kanë ideuar programin e kanë pasur shumë të thjeshtë të mos përfshinin efektet video, por kjo për mua ka ardhur spontane. Duke qenë të përfshirë në vorbullën e problemeve për të verbërit ata persona janë mësuar t’i shohin njerëzit e verbër njëlloj si të tjerët. Është e njëjta gjë që më ndodh me miqtë e mi të cilët nuk shprehin habi tanimë kur u tregoj për këto gjëra.
Një software tjetër vokalizues është Talks, që për nga përmasat dhe funksionet është më i vogël se Jaws, por është njëlloj i rëndësishëm, sepse vokalizon çdo gjë që shfaqet në menutë e një aparati celular. Funksionet e tij janë të njëjta me ato të Jaws në kompjuterët me sistem të mirëfilltë operativ. Është e njëjta logjike programimi pavarësisht se në celular funksionet më të rëndësishme do të ishin leximi i listës së kontakteve, lexon SMS  në mënyrë të saktë dhe shkon deri në detaje si tregimin e nivelit të baterisë, valëve dhe çdo simboli tjetër që del në ekranin e një celulari. Nëse më parë do të prisje të vinte çdokush  të lexonte SMS tani mund t’i lexosh vetë dhe mund të shkruash vetë.

Cilat janë gjasat që këto programe të futen në Shqipëri?

Hapat e mëdhenj të teknologjisë kanë përfshirë fatmirësisht edhe vendin tonë të vogël. Natyrisht me vete kanë sjellë edhe arritjet më të fundit në këtë fushë. Në institucione, shkolla, ndërmarrje deri në shtëpitë tona kompjuterët dhe celularët nuk konsiderohen si mjet luksi por si mjet pune. Dhe duke pasur në itenerarin e përditshëm këto aparatura është e domosdoshme njohja me programet e shumtë kompjuterik. Jaws është një program krejt normal dhe mund të përdoret në çdo kompjuter, pra nuk kërkon kompjuterë të ndërtuar enkas për të. Në këtë mënyrë rruga për të hyrë në Shqipëri është e njëjtë me atë të futjes së çdo programi tjetër. Sigurisht, nuk është aq i njohur sa ç’është paketa office, interneti apo programet për Messenger, por ka specifikat e veta dhe kushdo që do të interesohej do ta gjente të radhitur në listën e gjatë të programeve të paraqitura në internet. Pra rruga më e thjeshtë është Interneti për të futur programe si në Shqipëri ashtu edhe kudo në botë. Nëpërmjet kësaj rruge programi ka hyrë në Shqipëri dhe përdoret në mënyrë efikase nga shumë persona me probleme të shikimit. Shoqata e të verbërve të Shqipërisë ka ndërtuar projekte të tëra me bazë integrimin drejt teknologjisë më të avancuar dhe tashmë shenjat e para të suksesit janë më se evidente.

Cilat janë problemet në Shqipëri për aksesin total mbi këto software?


Problemi kryesor është gjuha. Megjithëse gjuha jonë është nga më të vjetrat në botë, madje së fundmi na rezulton se mund të jetë më e vjetër nga ç’mendonim, ky fakt nuk ka bërë që gjuha jonë të jetë e përfshirë në listën prej 70 gjuhësh që Jaws suporton. Pra Jaws mund të verbalizojë 70 gjuhë të botës, por gjuhën shqipe fatkeqësisht jo. Për të shmangur këtë problem në Jaws janë ngritur ekipe që merren me hulumtime për të bërë të mundur futjen e gjuhës tonë në këtë progres. Gjithashtu po kontaktohet me kompaninë që ka aksesin dhe të drejtën për të shtuar aksesore pro gjuhës shqipe. Shanset janë të favorshme sidomos me nxjerrjen e versionit shqip të disa programeve ndër më të rëndësishmit Windows XP. Favor tjetër është të pasurit e një ZIP Codi. Kështu që duke na njohur do të krijohet mundësi të na përfshijnë në realizimet e tyre.
Problem tjetër është kostoja. Realizimi i këtyre programeve ka një kosto relativisht të lartë. Një licencë për Jaws kushton 825 euro, kosto e papërballueshme për realitetin shqiptar. Nënkuptohet që ka mënyra alternative ashtu sikundër ekzistojnë këto mënyra për shumë programe të tjerë, por ky lloj efikasiteti nuk do të ishte jetëgjatë. Pra,  gjithsesi deri tanimë jemi pre e proverbit së artë të Makiavelit “Qëllimi justifikon mjetin”.