3 Dhjetori
Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar



Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK), 3 Dhjetor, synon ndërgjegjësimin e shoqërisë civile, donatorëve, por edhe të përfituesve për t’u bërë pjesë dhe për t’u përfshirë në proçesin e integrimit të personave me aftësi të kufizuar në jetën politike, sociale, ekonomike e kulturore. Kjo ditë është festuar në të gjithë botën që nga viti 1992 për të rritur ndërgjegjësimin publik, pranimin dhe mirëkuptimin e personave me aftësi të kufizuara.

Një revolucion të vërtetë në përkufizimin dhe në perceptimin e shëndetit dhe aftësisë së kufizuar e bëri OBSH në vitin 2001, me lançimin e “Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit” (ICF).
Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit (ICF) e përcakton aftësinë e kufizuar si një term ombrellë për dëmtime, kufizimet e aktivitetit dhe kufizimet e pjesëmarrjes. Dëmtimi është një problem i funksionimit të trupit apo strukturës së tij, (funksionet fiziologjike apo psikologjike apo pjesët anatomike të trupit).

Fakte Sipas Bankës Botërore dhe OBSH

Persona me aftësi të kufizuar ka në çdo vend të botës dhe në të gjitha nivelet e çdo shoqërie. Numri i personave me aftësi të kufizuar në botë është i madh dhe në rritje. Mbi një miliard njerëz, apo rreth 15% e popullsisë së botës, kanë një formë të aftësisë së kufizuar,nga të cilat mbi 200 milionë janë fëmijë.
110 milion deri 190 milion njerëz kanë vështirësi të konsiderueshme në funksionim Përqindja e personave me aftësisë të kufizuar është rritur ndër shkaqet e tjera, për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së sëmundjeve kronike.

Në vendin tonë personat me aftësi të kufizuar janë identifikuar me terma të ndryshëm si,invalidë,të paaftë,handikapë,para-tetraplegjike,persona me prapambetje mendore,të verbër ,etj. Në përputhje me terminologjinë e Kombeve të Bashkuara dhe konceptet e Mundësive të Barabarta të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe në përputhje me kategorizimin ndërkombëtar të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), termi “person me handikap” është zevendësuar me termin “Person me Aftësi të Kufizuar” (individualisht) dhe “Persona me Aftësi të Kufizuara” (në nivel shoqëror).

Keshtu pra Dita botërore Personave me Aftësi të Kufizuar,3 Dhjetor,synon të promovojë të kuptuarit e çështjeve të aftësisë së kufizuar dhe për të mobilizuar mbështetje për të drejtat,dinjitetin dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuar. Ajo kërkon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin e përfitimeve që do të rrjedhin nga përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në çdo aspekt të jetës.

NA NDIQNI NË FACEBOOK