Zhvillimet demokratike që ndodhën në vendin tonë në vitet 90-të krijuan mundësinë sikurse për qytetarët e tjerë edhe për qytetarët e verbër që të organizohen dhe të krijojnë shoqatën e tyre të të verbërve. Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë është bashkim vullnetar i personave që kanë fituar statusin ligjor e të verbërit dhe është krijuar më 8 Janar 1991 ne Tirane. Ajo është e para organizatë joqeveritare e krijuar në Shqipëri me vendosjen e pluralizmit.
SH.V.SH është organizatë joqeveritare, jofitimprurëse dhe humanitare. Ajo bashkëpunon me shtetin dhe me institucionet e tij në menyrën e parashikuar me ligj dhe me akte të tjera nënligjore te pranuara prej saj ose ne masën e përcaktuar nga marrëveshja apo kontrata ku SH.V.SH është palë e barabartë dhe i ka nënshkruar ato. Që nga dita e themelimit e deri më sot aktiviteti i SHVSH-se ka synuar në:
- Harmonizimin e interesave të anëtarëve të saj, në themel të bashkimit të të cilëve qëndrojnë pasojat e verbërisë.
- Mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të qytetarëve të verbër në mënyrë të organizuar dhe publike.
- Rritjen e nivelit arsimor dhe profesional të të gjithë komunitetit të të verbërve.
- Mbikqyrjen e nivelit të jetesës së të verbërve dhe ndërmjetësimin në strukturat ligjvënëse dhe ekzekutive për përmisimin e saj.
- Sensibilizimin e opinionit shoqëror dhe zyrtar në dobi të zgjidhjes së problemeve të të verberve.
- Ofrimin e shërbimeve të posaçme për të gjithë qytetarët e verbër drejpërdrejtë ose nëpërmjet personave juridik të krijuar prej saj.
Sot, komuniteti i të verbërve në Shqipëri arrin në 10 000 persona të njohur si të tille në bazë të kritereve mjekësore e ligjore.