Të dashur qytetarë të verbër dhe me shikim të pjesshëm,
Ditën e mërkurw zhvilluam një manifestim me rastin e javës së shkopit të bardhë.
Në të morën pjesë më shumë se 100 persona.
Në këtë ditë edhe një herë e vumë theksin tek mbrojtja e të drejtave tona, konkretisht mos cënimin e standarteve të arritura, përkundrazi përmirësimin e këtyre standarteve.
Konkretisht, Finacimin e shërbimeve, rritjen e pagesave për shkak të verbërisë, për të verbërit e grupit të parë dhe shoqëruesve të tyre, si dhe për të verbërit e grupit të dytë, duke kërkuar rikthimin e pagesës në 70% të pagës minimale pra si ka qenë në fillim me vkm 277 të vitit 1997.
Trefishimin e pagesës për shoqëruesit e grupit të parë, sipas modelit Italian, arsimimin me përparësi të verbërve në të gjitha nivelet që nga arsimi i mesëm deri në përfundim të arsimit të lartë.
Mos-diskriminimin e qytetarëve të verbër, por trajtimin e tyre me respekt dhe dinjitet, duke na konsideruar si të barabartë me të gjithë anëtarët e shoqërisë shqiptare, e pra duke aplikuar standarte të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, duke mos bërë diferencime si në rastin e indeksimit të pensioneve dhe të pagesave për shkak të aftësisë së kufizuar, sepse inflacioni në shqipëri ka qenë njëlloj si për të verbërit ashtu edhe për qytetarët e tjerë.
Punësimin dhe përgatitjen e qytetarëve të verbër për tregun e punës, nëpërmjet kurseve të kualifikimit.
Krijimi i infrastrukturës së përshtatëshme për personat e verbër, përfshirë këtu vendosjen e sa më shumë semaforëve akustik si dhe përshtatjen e rrugëve për këta qytetar, vendosjen e mbishkrimeve në brajl në të gjitha institucionet, e të tjera.
Ky manifestim u pasqyrua gjerësisht edhe nga mediat e ndryshme kombëtare dhe lokale.
Përveç fjalës së rastit, mediat e pranishme e konkretizuan këtë pasqyrim edhe nëpërmjet bërjes së intervistave të ndryshme me pjesëmarrës të këtij manifestimi.
Një falenderim shumë i madh ju takon që të gjithë atyre që morën pjesë në këtë manifestim! Ata treguan se të gjithë duhet të jemi bashkë kur bëhet fjalë për problematika dhe shqetësime të cilat na prekin që të gjithëve.
Dhe si thotë një fjalë e urtë, “duhet të qajë fëmija, që nëna t’i japë për të pirë”.
E pra përfitoj nga rasti që të bëjë një thirrje që të gjithë komunitetit tonë, në mënyrë që herë tjetër duhet të jemi më shumë në mbrojtje të drejtave tona, sepse sa më shumë të jemi në unitet me njëritjetrin, aq më bindës bëhemi për institucionet, përsa i përket kërkesave tona.
Faleminderit edhe një herë që të gjithë pjesëmarrësve, dhe qofshim gjithëmonë të bashkuar në mbrojtje të interesave të komunitetit tonë, si dhe në çuarjen përpara të kauzës sonë të përbashkët!
Presidenti Av.Ardjan Hysa