Komisioneri Kundër Diskriminimit, pas trajtimit të ankesës së ngritur nga qytetarët e verbër të qytetit të Korçës, nëpërmjet degës së SHVSH Korçë dhe Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, lidhur me problemet e shkaktuara nga Bashkia Korçë dhe Filiali i Postës Shqiptare Sh.a Korçë, ka dalë me vendimin me dispozitat e mëposhtme
Komisioneri ka vërtetuar se persona e verbër që jetojnë dhe marrin shërbime nga Bashkia Korçë janë përballur me diskriminim në fushën e të mirave dhe shërbimeve.
Bashkia Korçë dhe Filiali i Postës sh.a Korçë janë urdhëruar të ndërmarrin masat e nevojshme për ndreqjen e pasojave dhe rivendosjen në vend të të drejtave të shkelura ndaj personave me aftësi të kufizuara. Ata duhet t'i ofrojnë këtyre personave mundësinë e zgjedhjes së subjektit për të marrë pagesat dhe të zbatojnë ligjin për përjashtimin nga pagesat e tarifave/komisioneve për shërbimet e tyre
Bashkia Korçë është detyruar të ndërmarë masat e nevojshme për rivendosjen në vend të të drejtave të shkelura ndaj personave të verbër,duke kthyer të gjitha shumat e mbajtura që nga momenti kur aplikimi i tarifave/komisioneve ka filluar në shërbimet postare dhe ato bankare.
Bashkia Korçë dhe Filiali i Postës sh.a Korçë janë të detyruara të njoftojnë Komisionerin Kundër Diskriminimit në lidhje me veprimet e ndërmarra për zbatimin e këtij vendimi brenda 30 ditëve.
Moszbatimi i këtij vendimi çon në ndëshkim me gjobë, sipas parashikimeve të ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Nëse palët janë kundër këtij vendimi, lejohet ankimimi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, brenda 45 ditëve nga marrja e dijenisë së vendimit.