Në një kohë ku ndryshimet e thella tronditnin çdo aspekt të jetës, një histori e
rrallë u shfaq mes shqiptarëve të verbër, të cilët ishin po aq të etur për
ndryshim dhe progres. Gjatë lëvizjeve të dhjetorit, një grup i vogël i tyre,
duke përfshirë Presidentin që në themelim, i cili sot është president nderi Dr.
Sinan tafaj, dhe të tjerë, vendosën të ngrenë zërin e tyre. Ata vendosën të
thërrasin një takim të madh më 8 Janar, një datë që do të shënohej si fillimi i
diçkaje të re.
Në atë kohë, në dijeninë time kishte mbi 200 të verbër të punësuar në
ndërmarrjet e ndryshme shtetërore, të cilët kryenin procese të thjeshta manuale.
Mbi 20 apo 30 vetë punonin në ndërmarrjet e NISH-gomës apo të plastikës në
Durrës. Ata lëmonin me dorë artikuj të ndryshëm industrial për ti përdorur për
konsum publik. Të tjerë punonin në ndërmarrje ushqimore tregtare me paketimin e
artikujve ushqimor, në uzina mekanike ku kryenin procese të caktuara të
prodhimeve në seri, fabrika qelqi dhe sidomos si centralist në ndërmarrjet e
mëdha. Sot është e vështirë të konceptohet, por në atë kohë i vetmi burim për të
jetuar apo dhe për të mbijetuar ka qenë vetëm puna, pasi mbështetja sociale nuk
ekzistonte si opsion.
Gjithmonë si tani dhe atëherë është besuar se do të kishte hapësira për të bërë
politika për mbajtjen në punë të të verbërve, Si dhe integrimin e të tjerëve.
Kurrsesi nuk ishte imagjinuar një shkatërrim epokaliptik të të gjithë asaj mase
gjigande uzinash, fabrikash, ndërmarrje shërbimesh, ndërmarrje e koperativa
bujqësore, me qindra linja prodhimi, ku ishin të punësuar afro 2 milion
shqiptar. Në themelimin më 8 Janar kanë arritur në konkluzionin se mundësia më e
mirë për t’u mbrojtur nga të papriturat e transformimeve të thella ishte
bashkimi i të verbërve të asaj kohe në të gjithë Shqipërinë. Kështu, vendimi i
parë dhe më kryesori ishte krijimi i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, e
cila do të merrte përgjegjësinë për të mbrojtur dhe mbështetur cdo të verbër në
të gjithë Shqipërinë pavarësisht nga mosha, gjinia apo lloji i nevojave që do të
kishte secili. Mbrojtja kryesore do të ofrohej së pari në fushën e të drejtave,
edhe pse në atë kohë nuk imagjinohej dot se nga një sistem i njëanshëm, pa liri
dhe të drejta themelore do të kalohej në një sistem të gjithanshëm ku liritë dhe
të drejtat do të qendronin në qiellin e parimeve e do të ishin aq larg për ti
prekur e për ti gëzuar ato. Vetëm sot, pas 33 vitesh, në bazë të historisë së të
shkuarës dhe realitetit të jetuar, arrijmë të vlerësojmë se vendimi më i
rëndësishëm dhe qendrimi më i drejtë ishte se në themel të bashkimit tonë kanë
qenë interesat e të verbërve dhe që në themelim e deri më sot është neveritur
mbivendosja e interesit personal mbi atë të të verbërve. Politikisht në atë
moment ky qendrim ishte i papranueshëm në frymën e asaj kohe pasi ishte rrëzuar
sistemi i kolektivit, mbi të cilin po vendoseshin liritë dhe të drejtat
themelore të njeriut dhe prona private.
Koha tregojë se vetëm angazhimi i tyre unik për nga këmbëngulja, unik për nga
vullneti, unik për nga kompromisi dhe thellësisht besnik ndaj kauzës së
përbashkët na solli në këtë mbijetesë. Shoqata tejkalojë dhe parashikimet më
optimiste, jo vetëm të anëtarëve të saj, por dhe të opinionit publik dashamirës.
Është arritur të hartohet, miratohet dhe zbatohet ligji për statusin e të
verbërit, që na sigurojë ne të verbërve mbrojtje sociale të posacme, pagesa për
shkak të verbërisë, të drejtën e shkollimit, financimin e shërbimeve të posacme
që ndihmojë në integrimin tonë në jetën normale, e lehtësira të tjera. Shoqata
krijojë struktura të posacme për shërbimet duke ngritur qendra në të gjithë
shqipërinë. Ajo u bë shtëpia e përbashkët ku cdokush gjendte e ushtronte
aktivitete me rëndësi jetike
Tranzicioni i stërzgjatur i shoqërisë ka sjellë pasoja edhe në komunitetin tonë,
pasi jo cdo lloj reforme e pastudiuar ka realizuar pritshmëritë e saj. Hartimi
dhe miratimi i ligjeve me karakter që nuk i përgjigjet realitetit kanë krijuar
pasoja negative në jetën e të verbërve, qoftë në fushën e shkollimit, apo dhe
atë të shërbimeve. Një rol më aktiv i shoqatës dhe ndërtimi i bashkëpunimit
serioz e i studiuar me qeverinë mbetet sfidë e sotme dhe e ardhshme e shoqatës
së të verbërve dhe politikbërësve të fushës
Për fat të keq, politikanët ambicioz e agresiv e panë atë si pengesë në rrugën e
tyre për të sheshuar e kontrolluar cdo organizim apo forcë potenciale të
shoqërisë civile, ku nuk mund të mbivendosnin interesat e tyre personale. Kështu
gjithcka e ngritur, u transformua e u zhbë, duke shfuqizuar vendime qeverie dhe
akte të tjera nënligjore të cilat mbështesnin shkollimin, punësimin dhe shërbime
të posacme për të verbërit, dhe duke i mohuar shoqatës rolin e saj aktiv në
përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe në organizimin dhe ofrimin e
shërbimeve. Prandaj, besnikërinë ndaj kauzës dhe rezistenca ndaj politikave të
mbrapshta të politikanëve besnik të interesave të veta na kanë plagosur
mbijetesën, por në pritje të ndryshimeve të thella, si para 33 vitesh, besojmë
shumë se dita jonë kombëtare do të na rindricojë dhe rivendosë në marshimin tonë
krahas shtresave të tjera të shoqërisë. Pavarësisht sfidave, kemi mbetur të
vendosur në mbrojtjen e të drejtave tona dhe në përpjekjen për një jetë më të
mirë për të gjithë të verbërit në Shqipëri
Me kalimin e kohës, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka ndërtuar një rrjet të
fortë mbështetjeje, jo vetëm brenda vendit, por edhe në bashkëpunim me
organizata ndërkombëtare. Kjo ka ndihmuar në ngritjen e ndërgjegjësimit për
sfidat me të cilat përballemi dhe ka shtyrë për politika më inkluzive në fushën
e punësimit, arsimit dhe shërbimeve sociale
Në këtë rrugëtim, jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur - disa
prej tyre pozitive, të tjera më pak. Por një gjë është e qartë: përmes unitetit
dhe përkushtimit, jemi bërë një zë më i fortë në shoqëri, duke luftuar për të
drejtat dhe nevojat tona. Kjo nuk është vetëm një histori e të verbërve të
Shqipërisë, por një mësim për të gjithë se, pavarësisht sfidave, uniteti dhe
vullneti i fortë mund të sjellin ndryshime të mëdha
Duke parë përpara, sfidat mbeten, por edhe mundësitë janë të mëdha. Shoqata
vazhdon të punojë pa u lodhur për të siguruar një të ardhme më të ndritur për të
verbërit e Shqipërisë, duke u përpjekur që çdo anëtar i shoqërisë të ketë
mundësinë të kontribuojë dhe të jetë i vlerësuar në mënyrën e tij unike
Në këtë përvjetor të 33-të, ne kujtojmë rrugëtimin tonë dhe i kushtojmë nderim
atyre që kanë luftuar për këtë kauzë. Ne gjithashtu shikojmë me shpresë dhe
vendosmëri drejt së ardhmes, duke besuar se dita jonë kombëtare do të vazhdojë
të jetë një simbol i rezistencës, unitetit dhe shpresës për të gjithë të
verbërit e Shqipërisë
Zëvendës Presidenti i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë,
Jonit Ferhati